Arkivat: Dhjetor, 2009

familje shqiptare

Postuar në poezi më 4 Dhjetor 2009

***
Familje shqiptare
Në trotuarin përballë
Hapësira është modeluar sipas
Gishtit të madh të këmbës
Katër të tjerët rrinë ngusht
Nguc e nguc ngjitur
Duke dashur të ishte ndryshe
Ndryshe nuk mund të jetë duke e ditur
Kohë shi-ndryshkur
Nën strehën e thoit të burrit
Dhe biçakut të vjetëruar.

***
U mbars një gjethe kumbulle
E njomë, nën vesë
Nën peshë
Të një pike ujë
Ajo barrë
U shkëput prej saj
U lind një djalë
Dhe gjethja u gatit për ditën
Ditën e gjatë të një familje shqiptare.

***
Folëm gjatë
Për politikën, tonën dhe të gjithkujt
Fuçitë e naftës, fuçinë e rakisë, të ujit
që humbet këtu e gjendet në planet tjetër
Konkluduam se jetë tjetër ka
Por nuk ramë dakort nëse kjo është më e mira
Thamë të bëjmë pak qejf në mbrëmje
U ndjemë pak bosh në mëngjes
Pak vend ende kish mbetur
për fjalët pafund të një familje shqiptare.

netë dhe beton

Postuar në poezi më 4 Dhjetor 2009
***
Mu duk e ftohtë
E zhveshur
Asgjë për të dhënë
Asgjë për të fshehur
Zemra e saj e verdhë
Përgjysëm e fikur
Sytë vezullorë
Në kurrësi të ikur
Ndaj ia dhashë Natës
Veshjet e mia
U mbështollëm të dashuruar
Njeriu dhe Gjithësia
  
*** (in the works)
Ke frikë nga unë
A thua se e di
Sa dashuri kam vrarë
Unë vras dashuri
Me dorën time të parezistueshme
Me syrin tim të zi
me jetën time të pabanueshme
Me syrin tim të zi.
Ke frikë nga unë
A thua se e di
Se dashuri kam vrarë
Për të ardhur tek ti.
Tani ke frikë nga unë
A thua se e dije.
A nuk doje një darkë të vërtetë
Përpara se të flije?
  
*** (in the works)
Si lakuriqi
Që me natën ndan lëkurën
Jam ngjitë në tavanin e bardhë
Ndonëse poshtë më rëndon trupi
Nëntë plagë mbaj
Më e vjetra në kokë
Motrat nuk ia thonë njëra-tjetrës
Çfarë më thonë mua.
Dhe rroj
Si çengeli
Ku varet drita.

midis e matanë

Postuar në poezi më 4 Dhjetor 2009
*** 
Kinse verë.
Njerëz në grup
Grup pleshtash në rradhë për benzinë
Pastaj shpërndahen
Në ditët e tyre
Në ndodhitë që ua kam zili.
 
Nuk kam iluzione shiu
Jeta m’është maraz
Më kruhet koka
Varë në penxhere
Kinse verë.
 
 
*** 
Përcjellim ushtarët e i ndjekim
Të gjithë duam të prekim një rreze lavdie
Ndjellë prej shkëlqimit të bajonetave
Sëkëlldi në bark
As fëmija nuk rëndon ashtu
As vdekja
 
Vdekja gënjen gjithnjë e më pak
Gjithnjë e më shumë i besojmë
një rrezeje lavdie, lajkatare
na verbon tek ecim
krah tyre në përcjellje.
 
 
 
*** 
Ku shkel këmba, thyhet një varg
e shkërmoqet një fjalë
poezia miku im, është një përrallë
në vende të paqena rrëfyesit humbin
symbyllur i ndjek
të magjepsesh me fundin.
aty fjala vdes, aty pushon jeta
aty ndajnë një shtrat
ëndrra dh’e vërteta
 
 
 
*** (bonus track) 
U zbardh qyteza
Nuse për të tjerë
Qeshet zemërzeza
Qeshet gaz e vrerë
Qysh kam fikur hyun
Bora zuni borën
Syu nuk zu syun
Dora nuk zu dorën

mbishkrime

Postuar në poezi më 4 Dhjetor 2009
***
A është kohë e përshtatshme për një shi të shtruar?
Në zamër, e mbajnë me biskota lehonën
E hidhur mbasditja, e hidhur zeherr
Si sherbet e thith toka
shiun.
  
Në diell e pas diellit u djegshin shejtanët
Fotografët që buzëqeshjet me zor na i vënë
Në fytyrë,në sy, në bark - dy bebe
Lindur në një ditë e humbë në kohë të ndryshme
Eh, o vllau jonë, sa ke për të mësu..
  
  
***
As ëndërrat nuk më shkojnë deri në fund
I dëshpëruar – pëshpëris -
I dëshpëruar.
Qielli i errët mbi Bankën Qëndrore
Bie ndesh me syrin e majtë.
Pishat e festës të keqkuptuara si bredha
Ndizen flakë.
A ke të thyesh?
Të thyera a ke?
  
  
***
I kam për zemër kalamendjet
Koha kur askush nuk hyn
Nuk del nga dera ime
E oda në kokë bëhet krejt e vogël
sa oda në tokë e prerë për trup.
As ëngjëj, as djaj
As xham për dihatjet,
Në ekuilibër
Në pafajësi
Në mosdije.
  
Dora udhëzuese ndryshon këndin e platformës
Dhe zari i nxituar fugon në labirint.

________________