Dyqani i Demit

Postuar në Prozë më 4 Shtator 2010
Hyra tek dyqani i Demit për të blerë fruta. Unë nuk ha fruta, unë blej fruta. Demi është hundëderr, veç këtij nuk ka cen tjetër të pambuluar nga përparësja. Demi shet fruta, por mua nuk më pëlqejnë frutat. Unë blej fruta sepse dua të vij në dyqan. Sepse dyqani i Demit është i rrethuar me xhama dhe sheh nga udhëkryqi. Dakord, të gjithë dyqanet kanë xhama, por xhamat e dyqanit të Demit janë ndryshe. Demi e di se unë vij këtu për xhamat, por sa kohë qe unë blej pjeshka të vrara, atij aq i bën. Më ka treguar se xhamat e dyqanit të tij janë skarco dhe se i ka blerë lirë. Ke bërë mirë, i pata thënë dhe atij iu pat bërë qejfi.
Në fakt kishte bërë shumë mirë. Tani unë vij dhe shoh botën në udhëkryqin përtej xhamave skarco të dyqanit të Demit. Një botë ndryshe, me të cilën kam rënë në ujdi se një ditë do të jem pjesë e saj.
Rri aty e habitem me një çift adoleshetësh; ai me dorën e tij të gjatë – të gjatë, përreth qafës së saj të gjatë – të gjatë e të pjerrët. Dy xhirafa elegante që përtypin gjethe a fjalë me lëvizje eliptike të nofullës. Çfarë dinë ata që qënkërsh kaq e mjaftueshme sa të mos pyesin për asgjë tjetër?
Eliptike janë gjithashtu rrotat e biçikletës së dikujt që ka hedhur shtat vetëm nga mesi e lart. Këmbët e tij lëvizin shpejt; këmbët supozoj janë bërë të lëvizur, por trupi i tij rrëshket mbi hipotenuzë pothuaj sikur i tutet nxitimit. Çfarë di ai për nxitimin?
Pastaj matanë shtyhet një gomar i ngarkuar. Prej këmbëve të tij të gjata, të gjata e të larta, supozoj është një deve që mbart floririn dhe jetën e të zotit nëpër shkretëtirën e pafund të syve të tij. Çfarë di ai për vetminë që nuk e ndan me askënd?
Mahnitem kështu me mahnitjen time pas një bote që nuk është e imja, por që e kam vjedhur e fshehur aty ku një ditë dua të fshihem edhe vetë. çfarë dinë ata për mua?
- Pjeshkët e zakonshme? – më flet Demi.
Kthehem nga Demi i zakonshëm, që nuk ka asnjë cen të pafshehur nën përparëse dhe gëzohem për hundën e tij të stërmadhe, të gjatë e të pjerrët.
-Po, po – i them, pjeshkët.

Rruga e gjatë dhe e pamundur drejt njohjes. Si e premë shkurt.

Postuar në Prozë më 4 Shtator 2010
*
Më së fundi këtu. Qindra kilometra përkrah njëri-tjetrit në makinë pa folur, me ankthin dhe shtrëngimin eksitues të mundësisë së madhe. Mbase na kishte mbërthyer gjithëdija e kombinuar me moshën e re të Kumtuesit, mbase fati i pabesueshëm që gjetëm bileta atëherë kur njoftimi për ngjarjen kishte dalë në faqen e parë të gazetave nacionale, në faqen e vetme me ngjyra. Më së fundi këtu. Mes një lumi njerëzish, drurë të zgjedhur për të lundruar gjer në krye.
*
Salla është e madhe. Ndoshta pesëdhjetë shkallë drejt qiellit. I ngjan një stadiumi të mbyllur në kavanoz. Njerëzit janë ulur këtu ngjitur e ngjitur, një orë përpara se skena të ndriçohet.
*
Bëjnë prova me zërin dhe foninë. Pastaj me dritën e verdhë, të gjelbërtën, dhe një herë të vetme me një të kuqe të ndezur. Deri tani kemi arritur të shohim podiumin nga ku Kumtuesi, i vetëm pritet të orkestrojë morinë e adhuruesve.
*
Jemi me fat. Ky udhetim është si një ëndërr. Unë dhe Xhevdeti nuk kemi shkëmbyer ende asnjë fjalë. Xhevdetit i digjen fjalët në sy. Më përqafon herë pas here.
*
Ja ku. Erdhi. Nën brohoritjen e fatlumëve hyn Kumtuesi. Me hapin e tij sportiv si në TV, me lëvizjen e paimitueshme të dorës së tij na kthen përshëndetjen dhe na fton të ulemi. Por adhuruesit janë të rrëmbyer nga emocioni, nuk i binden sinjaleve.
*
Kumtuesi fillon të flasë. Po flet. Ky është momenti. Duket sikur lexon diku. Korrigjim, nuk lexon. Fjalët e tij të para janë: Jam ftuar këtu të flas për kufizimet e lirisë, por do të doja të filloj nga liritë e kufizimit..
Si në ëndërr.
*
Si në ëndërr. Kumtuesi thotë se ne kemi mbetur si njeriu që lëkundet me një këmbë në rrjedhë të lumit e me këmbën tjetër në breg të tij. Na pyet se cili do të ishte instinkti ynë. Unë shtrëngoj fort ndenjësen. Xhevdeti lëkundet fort majtas – djathtas pastaj mbrapa – para.
*
Xhevdetin e mori lumi. Ai turret teposhtë shkallëve dhe ngjitet në skenë. Gati sa nuk bie. E mban veten por jo për kohë të gjatë. Mbështetet në foltore. Njerëzit në sallë duken të shushatur. Si në një ëndërr. Ëndërr e keqe.
*
Janë të vonuara xhestet e mia të mirësjellshme për t’i njoftuar njerëzit përreth se Xhevdeti ka pirë pak. Tashmë të gjithë e dinë. Më duhet të pranoj se pijet e servirura në korridore dhe afshi i femrave të presuara në veshje ndjellëse ishin të parezistuesshme.
*
Kumtuesi e ka humbur kontrollin mbi mikrofonin. Nga salla vijnë zëra që nuk kuptohen. Xhevdeti hungërin dhe thotë se ka dy fjalë për të thënë meqë jemi mbledhur të gjithë këtu. Pëllet: “Liria o vlla është tek xhepat plot. Rrypin nuk e shtrëngojnë ata që nuk kanë, por ata që kanë xhepat plot, që të mos u bien…”
Pantallonat. Xhevdetit i bien ose i ul pantallonat.
*
Në sallë ende nuk ka mbaruar ekoja e një U-je të zgjatur përtej kufirit të frymëmbajtjes. Kumtuesi e ka të vështirë të pranojë t’i afrohet foltores ku thuhet se dikush ka urinuar.
Mes tallazeve të turmës unë mbaj një vesh drejtuar nga korridori ku kujtoj se ndihen kuisjet e Xhevdetit.  Eh, kështu, kështu liria..

buzëdetit në Gojënatë

Postuar në poezi më 4 Shtator 2010
1. 
Sikur hëna të ndalonte së lundruari mbi varkë
Të gjitha ikjet do të mbeteshin këtu zemra ime
Dhe unë do të isha ai varkëtari i ngratë
Që bashkë me hënën mbytet.
2. 
Era u bë e dukshme në flokët e saj
Rëra nën këmbë, e bindur
Nata e gëzuar shfaqi për herë të parë
Yllin e ri të porsalindur.
Unë i qëndrova besnik heshtjes time
Veç fjalosa ndër mënd, si shejtani në shishe
Ndërsa bota papritur u bë vetëm e saj
E ajo dalngadalë zhvishej.
3. 
Miqtë shkëmbyen romancat
Në bregun e ftohtë, mbi rërë
kënga thotë ish e gjatë ajo natë
Më e gjatë se jetë e tërë.
Nga lëvizja e dorës parë prej pas shpinës
Nga larg, mu bë se një prej tyre
                                   i binte mandolinës
ëmbëlsisht ajo dorë që harron t’i mbyllë sytë
mendova, syhapur e çon në jetë të dytë.

Intervista

Postuar në Prozë më 4 Shtator 2010

Përpara se të nisesha, u ndala dhe mora nje stekë me cigare. M’u duk zgjidhja perfekte për kësi rastesh, nuk dija ç’të merrja tjetër. Arrita tek dyert e burgut, simbas leje-takimit njëzet minuta përpara kohës. Jam këtu për Mark S. - i thashë rojes, plotësova formularin, e dorëzova dhe prita në këmbë duke mos u ndjerë aspak i lirshëm në praninë e një turme laroshe familjarësh e fëmijësh. Roja më thirri me emër, më bëri me shenjë ta ndjek nga pas. Ti je ai gazetari – tha.

Tunda kokën ndonëse po ecja pas shpinës së tij. Më skanuan trupin me një si pallaskë elektrike që unë mendova se ishte për të vrarë mizat. Prita për stekën e cigareve kur vura re se i njohuri im i ri, roja, kishte mbledhur rreth vetes katër kolegë të tij nën uniformë dhe qeshnin duke komentuar mbi pakon. Me sa duket e kuptoi hutimin tim dhe mu afrua me stekën në dorë. Shiko, - më tha, - sa ironike. Unë pashë nga më drejtoi gishti i tij tregues. Ti vjen të vizitozh një të dënuar me vdekje dhe i sjell një dhuratë mbi të cilën shkruhet :”Pirja e duhanit shkakton një vdekje të ngadaltë e të dhimbshme”.

E di, e di – vazhdoi, e di se e ke bërë pa qëllim. Pastaj më kërkoi dorën ku vulosi një numër dhe më shoqëroi drejt dhomës së takimeve që i ngjantë oborrit të brendshëm të një shkolle metropoli. U ula në njërin nga stolat rreth njërës nga pesë tavolinat e ngulura në dysheme.  Kishte një aromë lagështire ai vend, ndaj nuk mu duk i paarsyeshëm krahasimi i tavolinave dhe stolave me këpurdhat. Hapa bllokun dhe e shënova këtë detaj. Shtova gjithashtu se roja u largua duke qeshur ende me vete, ndoshta për shkak të citatit mbi cigare. Derisa sollën Markun, kalova edhe një herë pyetjet nëpërmënd.

Marku erdhi i lidhur duar e këmbë. Hera e fundit që kisha parë një njeri me këmbë të lidhura ishte kur nëna lidhte djalin tim tre muajsh me justifikimin se i drejtohen këmbët. U ul përballë meje dhe më zgjati dorën. U kujdesa të mos e shtrëngoj fort e gjatë. Cigaret mi dhanë, - tha thjeshtë, falemnderit. Gjithmonë kam qënë gazetar i ngutur, gjithmonë kam bërë pyetjen e fundit të parën. E pyeta:

- Mark, ti je i dënuar me vdekje në pritje të ekzekutimit, a je pro apo kundër dënimit me vdekje?

U  gjend ngushtë, mendova. U pendova për pyetjen, por ishte vonë. Ai tha “po” pastaj “jo”.

- Le të jetë -tha, tek e fundit. Madje gjykatësve u duhet dhënë një armë. Nuk është e drejtë që ata të vendosin edhe se unë duhem vrarë, edhe të urdhërojnë dikë tjetër të më vrasin. E kam menduar këtë me kohë që kur u mor vendimi.

- Meqë jemi tek koha, sa kohë i duhet njeriut për t’u përgatitur për vdekjen e tij? – ndërhyra. Mbase e ndërpreva, mendova, nuk duhej. Mbase të ndërpreva – i thashë.

- Jo, jo foli duke lëvizur duart pranë njëra –tjetrës, prandaj ke ardhur. Ti do të dish. Problemi është se këto gjëra dihen, por pakkush kujtohet t’i shkruajë. Ti e di se njeriu ka gjithë jetën kohë të përgatitet, por i shtyn gjërat për në minutë të fundit. Kështu edhe unë. Tani e kam pastruar kalendarin, nuk mendoj asgjë tjetër, - buzëqeshi dhe vazhdoi. Nuk di a do më dalë koha apo frika e para, por di se nuk mund të kundërshtoj asnjërën.

I kam menduar të gjitha, i kam menduar të gjitha, - përsëriti duke u çmpirë dhe padashje me goditi me majën e këmbës. Po ti a je gati?

- Nuk kam as kohën, as pëgjigjen, - i fola me sytë mbi tavolinë. E di si është puna? Askush nuk mund t’i mendojë të gjitha. As ti, as unë! – e mbylla i kënaqur me sigurinë time. Pastaj ngrita kokën por e pashë të lotonte i prekur.

Mbase ai i kishte menduar të gjitha. Mbase tani gjithçka është e prekur prej mëndjes së tij. Mbase nuk ka mbetur më asgjë e paprekur në këtë botë, - mendova. Mbase duhej ta merrja mbrapsht sigurinë time, por përsëri ishte tepër vonë. Heshta. Mu duk nervoz. Më qëlloi sërish nën gju, këtë herë mu duk e qëllimshme. Heshta. E ndjeva se po nervozohesha. E godita vetëtimthi me majën e këpucës aty ku mendova se ishte këmba e tij. U pendova.

- Më fal i thashë.

U çua në këmbë, drejt e hakërryes, si pemë që kërkëllet duke u këputur mbi ty. -Unë kurrë nuk do të kërkoj falje, - bërtiti. Sepse ju kurrë nuk do të më falni. Edhe unë kurrë nuk ju kam falur dhe kurrë nuk do t’u fal. Ju mendoni se vetëm unë jam i vdekshëm, e ju jeni të pavdekshëm. Por unë edhe për këtë kam menduar. I kam menduar të gjitha. Gjithçka prekni ka helmin tim të hidhur. -Edhe ty të duhet një armë, -ulërinte ndërsa rojet e shtynin drejt derës në qoshe. Merr një armë dhe mos prit për dikë tjetër të më vrasë mua. Qëllo. Kujt i duhen vdekje të ngadalta e të dhimbshme?! Hë?! 

kam ra…

Postuar në poezi më 4 Gusht 2010
Kam ra shurdhnisht në dashni
Mbas zànit të njerëzve
Nsa mbledhin shkarpa në pyll
Për zjarrin e natës.
Mbas oh-e dhe ah-eve të drunjve që digjen
Kam ra shurdhnisht në dashni.

krijoj

Postuar në poezi më 4 Gusht 2010
1. 
Unë ndërtoj
Si babai im
Ndërtoj,
Si babai i tij
Ndërtoj,
Si biri im
Ndërtoj,
Si biri i tij
Ndërtoj,
Shtëpinë e një tjetri.
  
2. 
Unë arnoj,
Shpirtin tim arnoj
Me gishta gjakosë arnoj
andrroj.
Më shumë se një shpirt i ri
Më lypet gjylpanë e re
Një fill i pafund pè.
Unë arnoj
Ti e di se arnoj
Shpirtin tim arnoj.
  
3. 
Unë vetmoj
Vetë më vete vetmoj,
Si dielli që të gjithë i përzhitë
E të gjithë i braktis njësoj,
Zemrën e fsheh me dritë
Në sy të gjithkujt vetmoj.

Transformers

Postuar në poezi më 4 Gusht 2010
1. 
Hallet e mia janë si Transformers
Kakardhia kineze që kthehen në përbindsha
Me dy lëvizje, me instruksione gjysmake
Dhe fantazi të zgjeruar.
Kështu hallet e mia më mposhtin
Më mbetet të sillem si i poshtër
Që poshtërohet për të mirën e botës
Dhe triumfin e fëmijës.
Fëmija më godet papushim në gisht të këmbës
Me gjithë fuqinë e zjarrit që i del nga mushkëritë.
  
2. 
Ufff, na lodhi lufta
Lufta mamin ku ta ketë
Si me ja bo per i qoshk rehati
Si me ja bo që një herë në jetë
Një herë në jetë
Të mbështes kokën mbi duart e mia
Pa ma heq kush brrylin mbi tavolinë.
Dhe në lëndinë,
Ku gjallesat delikate iu fshihen lopëve
të llastuara në mirësinë e tyre,
të lë një shenjë
Aty ku kalimtari
si pushoi e pushoi
u ngrit e iku
i përzënë edhe nga varri.
  
3. 
Burri vesh këpucë me majucë
Jo pse i bie vitheve të kalit
Por për një arsye që unë nuk e gjej
Ndonëse shoh
Kudo e kurdo
Për qytetërimet që janë harruar
dhe ata që vonohen të vijnë,
Aktorë antikë mbi taka grash
pa kuaj mbërrijnë
Mes tragjedive të mëdha të artit
Komeditë e vogla të jetës
ndrijnë.

vida kokëkryq

Postuar në poezi më 4 Gusht 2010
1. 
Befas behe në krahun tim
Unë kisha kohë që lëngoja
duke kërkuar prehje e shpëtim
nga fjalëpaka, e pagoja.
Befas behe në krahun tim
E zënë nga gjaku, e zbehtë
Sa pata frikë të jem i yti
Përjetë.
2. 
Kur vdekja erdh e mor
          atë që thamë se e kish harruar
Mësuam se vdekja është e përpiktë
Ndryshe nga jeta që i bën ca lëshime
Për ata që kanë paren ose miqtë.
Dhe na u zgjua një dëshirë
Syndezur dëshirë.
3. 
Në shtrat më presin ëndrrat
Nuk bëjnë asnjë hap më tej
Druhen se i marr në jetë
Me vete e më nuk i kthej.
Ashtu siç mora rininë
E një kënge të bukur, nën zë
Peng e lashë për qetësinë
E udhëtimit në kthim pa të.
(Ëndrrat në shtrat çuçurijnë:
Ku të shpie mushka o fh,
Do të mbërthejmë or qyq
me vida kokëkryq.)

skaj qiellit

Postuar në poezi më 4 Gusht 2010
1. 
Mbylli kujtimet në kasafortë
Mbylli kursimet në kokë.
Mbylli
ujin në vaskë
syrin në guackë
vijën në shuplakë
stinën e harabelave.
Në mënyrë figurative,
Dhelpra nuk ia hëngri dot rrushtë.

  

2. 
Dje volla,
Tetë mëditës që ndanë llotarinë
Ushqimin kinez me bishtaja të paprekura
Varrin masiv 52 kokë
Pordhët e lira që bleva me okë
Fjalimin e gjatë që e dëgjova të përkthyer
Faktin që kurrë nuk kam urryer
Në mënyrë të përkryer.
Dje volla me gulç edhe jetën e tjetrit
Që e jetoi me sa mund, pa mund.
Shpresën që shpresa nuk vdes e fundit
Ndryshe unë do të vdisja para saj.
Dje volla vrer.
Sot ndjehem bosh.
Tani e di sa mbaj.
3.
Ngaiherë ndjehem aq i vetmumë
Sa nuk kapërdihem
Por pshtyj e mbytem n’nji lumë
Me pshtymë e me llumë.
A, kur më del vetmia
Kuptoj se lumi
nuk bahet veç me pshtymat e mia.

Postimi nr. 56

Postuar në poezi më 4 Gusht 2010
1.
Lija shet karamele,
shet edhe cigare
ëndrra ime është kaq dembele
sa as nuk shfaqet fare
dhe shpupuris tek kryti i rrugës
në bark të rrugës tjetër
nuk me gënjen dot ditë e re
dredhi e diellit të vjetër
Nganjëherë dukem kur më shikojnë
Më së shumti nuk jam fare
Nën çadër Lija shet
Hem karamele e hem cigare.
2. 
U takuam në vendin e rrëpirave.
Unë zbrisja poshtë rrëmbimthi
Ti ngjiteshe lart pak nga pak.
Unë nuk dija ç’më priste
Ti nuk dije çfarë lije pas.
Këmbët i kisha të fryra
Ti duart i kishe me gjak.
Them u takuam
Ndonëse thjesht shamë erën
Që nuk dinim në ç’anë frynte.
3. 
Poeti digjet si qiri të bëjë dritë
Unë digjem për ty.
Ecejakje e shurdhtë.
Qark i shkurtë.